Më t’u implementuar në plotëni ligji për Rimëkëmbje Ekonomike, Qeveria e Kosovës ka ndërmend të krijojë pako tjera financiare për të ndihmuar ekonominë e vendit.
Burime të portalit “02 Press” brenda Ministrisë së Financave kanë konfirmuar se janë duke përcjellur situatën me pandeminë, për të bërë gati pakot e reja për subvencionim të sektorit privat dhe qytetarëve.
“Nuk përfundon puna jonë me ligjin për Rimëkëmbje Ekonomike, jemi duke shikuar mundësi për të ndarë akoma mjete financiare për ta shpetuar ekonominë”, tha ky burim për 02Press.
Siç merr vesh portali 02Press.com, sektori i bujqësisë dhe bizneset e reja, kryesisht ato që kanë vështirësi financiare në zhvillim, dhe bizneset që punësojnë gra do të përkrahen nga qeveria.
“Në buxhetin e vitit 2021 janë planifikuar mbi 140 milionë euro shtesë për t’i shpërndarë në bazë të situatës epidemiologjike, për bizneset dhe qytetarët. Pra, do të analizojmë në përpikmëri, kudo që ka nevojë për ndërhyrje dhe ndihmë nga Qeveria, do ta ofrojmë atë. Por nuk do të kufizohemi vetëm me këtë fond sepse kemi mundësi që të sigurojmë edhe burim tjetër të financave për t’iu dalë në ndihmë qytetarëve”, tha tutje ky burim.