Rama e refuzon Trumpin për zhvendosjen e Ambasadës në Jeruzalem: Shqipëria do të ndjekë vijën e BE-së

Shqipëria do të ndjekë vijën e BE-së

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama ka refuzuar kërkesën publike nga Presidenti i SHBA-ve, Donald Trump për të zhvendosur ambasadën shqiptare në Jeruzalem, duke thënë se vendi synon të ndjekë drejtimin e BE-së për këtë çështje.

I pyetur nga gazetarët për këtë çështje gjatë konferencës së përbashkët për shtyp me homologun e tij Avdullah Hoti, kryeministri Rama tha se Shqipëria në këtë drejtim është në një linjë me politikën e jashtme të vendeve të BE.

Rama vuri në dukje se Shqipëria është “i vetmi vend joanëtar i BE-së në rajon që nuk ka votuar kurrë kundër pozicioneve të BE” për çështjet e punëve të jashtme dhe nuk do ta bënte as tani, megjithëse nuk e përjashtoi ta bënte këtë në të ardhmen.

Trump i dërgoi një letër Ramës sot, duke falënderuarqeverinë e tij për qëndrimin e saj në sigurinë e 5G. “Jam gjithashtu i kënaqur nga roli i fortë i Shqipërisë në Nismën e Tre Deteve – një alternativë transparente, e bazuar në treg dhe e drejtë, e formatit Kina 17 + 1 prej të cilit unë ju nxis të dilni”, shkruan në letren e Trumpit.

“Ju inkurajoj që t’u bashkoheni Shteteve të Bashkuara dhe të tjera kombeve evropiane në zhvendosjen e ambasadës suaj nëJeruzalem”, shtoi Trump.

Rama me mirësjellje nuk pranoi. “Në politikën tonë të jashtme jemi në përputhje me Bashkimin Evropian”, tha ai. “Shqipëria, deri më sot, që kur hyri në proceset e integrimit në BE, mbetet i vetmi vend joanëtar që nuk është lëvizur në asnjë rast nga linja e rënë dakord me Bashkimin Evropian në fushën e punëve të jashtme”, shtoi ai.

“Mund të vijë dita kur ne mund të gjykojmë se mund të lëvizim [nga qëndrimi i BE], por ajo ditë nuk ka ardhur ende”, vazhdoi Rama./Indeksonline