Salih Mustafa në Gjykatën Speciale me akuza ndaj Vuçiqit, Daçiqit e Vulinit – i quan çetnikë


Ish-eprori i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Salih Mustafa, ka mbajtur një fjalim përpara se të deklarohej i pafajshëm në Dhomat e Specializuara lidhur me akuzat e ngritura.

Në deklaratën e tij para të pranishmëve, Salih Mustafa ka përmendur edhe presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq dhe dy politikanët e tjerë serbë, Ivica Daçiq dhe Aleksandar Vulin, të cilët i ka quajtur çetnikë sallonesh, njofton Klan Kosova.

”As paqja dhe as prosperiteti demokratik e europerëndimor në Ballkan nuk do të arrihet duke përkëdhelur e mikëluar trinomin autokratik, klero-fashist dhe nacional-shovenist, të përbërë nga Aleksandar Vuçiqi, Ivica Daçiqi dhe Aleksandar Vulini, të cilët ishin akterë aktivë në regjimin e Millosheviqit”.

”Dhe tani si derivat i atij regjimi [Aleksandar Vuçiqi, Ivica Daçiqi dhe Aleksandar Vulini] janë shndërruar në çetnikë sallonesh të cilët edhe në ditët e sotme, me politikat e tyre fashiste po godasin lirinë dhe qytetarët e shtetit tim”.

”Bashkëkombasit e mi në Kosovën Lindore e Sanxhak po i bëjnë të vuajnë, duke ua mohuar të drejtat themelore njerëzore, kurse në anën tejetër, po cënojnë shtetet e Ballkanit që po ndërtojnë demokaci perëndimore”, tha Mustafa.