SHBA nuk heq dorë nga Kosova/ Këto janë arsyet pse serbët u “çmendën” për donacionin për FSK-në

Dëshmi se Amerika nuk do të largohet asnjëherë nga KosovaShala: Të krijojmë diplomaci ushtarake

SHBA-ja ia ka dhuruar Kosovës 55 automjete ushtarake. Pranimi i tyre u bë me ceremoni nga presidentja Vjosa Osmani, kryeministri Albin Kurti e ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj.

Për karakteristikat e këtyre pajisjeve ushtarake foli edhe presidentja Vjosa Osmani, e cila tha se ato janë të ndërtuara për terrene të vështira dhe u rezistojnë predhave.

“Këto pajisje të cilat janë karakteristikë për terrene të vështira dhe kanë rezistencë efikase ndaj goditjes së predhave, do t’u mundësojnë juve që veprimet tuaja në ruajtjen e paqes t’i zgjeroni e t’i shtrini gjithandej ku ju kërkohet”, tha presidentja Osmani gjatë ceremonisë së pranimit të tyre.

Presidentja Osmani dhe kryeministri Kurti u shprehën falënderues ndaj SHBA-ve për këtë donacion dhe që po ndihmojnë në zhvillimin e FSK-së.
Lidhur me këtë donacion ka pasur reagime në Serbi, ku analistë ushtarakë serbë kanë thënë se Kosova po armatoset dhe sipas tyre kjo është e rrezikshme.

Reagimet dhe deklaratat e tyre propaganduese vazhdojnë derisa dhe pas ngjarjeve në Afganistan ata u shprehën se edhe SHBA-të mund të largohen nga Kosova, një gjë që nuk do të ndodhë.

Lidhur me këtë, për “Bota sot”, kanë folur edhe disa njohës të çështjeve politike.

“Të krijojmë diplomaci ushtarake”

Në lidhje me këtë , “Bota sot”, kontaktoi ekspertin e sigurisë, Drizan Shala, i cili ka thënë se transformimi i FSK-së në FAK, ka paraparë investime në dy drejtime, pra në atë kapitale dhe në mjete ushtarake.

Ai shtoi se Ministria e Mbrojtjes ka paraparë rritje të buxhetit, që më 2026 të jetë përmbyllur procesi i transformimit në FAK.

“Procesi i transformimit të FSK në FAK ka paraparë investime në dy drejtime, atë kapitale (kampe, hapësira ushtrimi etj), si dhe në mjete ushtarake ku ndër to janë edhe automjetet e rënda të blinduara, të cilat i kontribuojnë që FSK-ja të jetë mobile në arritjen e misionit të saj, që është mbrojtja dhe ofrimi i mbështetjes të pjesës civile në raste të emergjencave. Ministria e Mbrojtjes këtë vit ka paraparë rritje të buxhetit të saj dhe i cili duhet të jetë 25% më shumë se këtë vit, që në afatin e paraparë prej 10 viteve të përmbush në afatin rekord për 5 vite, që në vitin 2026 të mund të themi që është përmbyllur procesi i transformimit në FAK”, potencoi ai.

Më tej, ai ka theksuar se Serbia prapë do të propagandojë se Kosova është shtet i dështuar, andaj për arritjen e synimeve të kapitaleve mbrojtëse, sipas Shalës, ne duhet të krijojmë diplomaci ushtarake.

“Serbia do të vazhdojë të propagandojë se Kosova është shtet, i cili në aspektin e brendshëm rrezikon pakicat serbe, e në aspektin e jashtëm si shtet i dështuar, i cili nuk ka mundur që të krijojë subjektivitetin e saj. Pra, ne duhet të krijojmë diplomacion ushtarak, e cila do të na ndihmojë në arritjen e synimeve të bazuar në objektivin e përmbylljes së kapaciteteve mbrojtëse ushtarake duke shkëmbyer dhe marrë informacione dhe teknologjinë më të re të mbrojtjes artificiale inteligjente”, ka deklaruar Drizan Shala për “Bota sot”.

“Serbia po armatoset me armë nga Rusia”

Juristi Muhamet Kelmendi, ka potencuar se Kosovës i duhen këto mjete për ta mbrojtur Republikën, edhe pse Serbia ka marrë mjete edhe nga Rusia, por që sipas Kelmendit, ato janë jo efektive kundër sulmeve raketore.

“FSK duhet të armatoset, mjetet e dhëna si donacion për ushtrinë e Kosovës janë të mirëseardhura, sepse kjo forcë nuk është mirë e armatosur dhe i duhen mjete për të mundur vetëm për vetëm me mbrojtur Republikën. Serbia si armiku kryesorë i Kosovës po armatoset me armë ruse dhe kineze. Edhe vetë prodhon shumë armë nga fabrikat e ish-Jugosllavisë. Nga Rusia ka marrë avion, tanke dhe sistem raketor Kundruall kësaj forme, mjetet që i ka FSK janë vetëm për këmbësori dhe të njëjtat janë jo efektive kundër sulmeve raketore e të aviacionit. Megjithatë është një shenjë e mirë dhe Kosova e FSK pret me të drejtë armë adekuate kundër armëve që i ka shteti serb si mike e ruso-kinezëve”, tha ai.

Më tej ka shtuar se SHBA dhe NATO do të tërhiqen dhe nga Kosova, janë deklarata të politikanëve serb, kështu hapet rruga e intervenimin ushtarak serb në Kosovë.
Kelmendi theksoi tutje se me këto mjete që i kanë dhuruar Kosovës, tregohet interesimi që ShBA ka ndaj Kosovës, madje ai thotë, se ky interesim duhet të rritet dhe në këtë mënyrë Kosova të mbrohet nga sulmet.

“Tërheqja nga Afganistani i SHBA-ve dhe të Paktit NATO është një e dhënë jo e mirë për Ballkanin Perëndimor. Këtej janë deklaratat me pompozitet të politikanëve serb për tërheqje edhe nga Kosova dhe kështu hapet rruga e intervenimit ushtarak serb në Kosovë. Këto të dhëna janë fakte që Uashingtoni, Londra e Berlini duhet t’i marrin seriozisht për të armatosur FSK-në me mjete adekuate luftarake. Tash këto mjete të dhëna nga SHBA a në një ndihmë e madhe. Me këtë tregohet mirë interesimi i SHBA-ve ndaj Kosovës. Ky interesim duhet të rritet dhe kështu të krijohen kushtet që Kosova ta mbrojë vetën e vetë nga çdo sulm ushtarak. Ky duhet të jetë qëllimi i Republikës së Kosovës dhe këtej kërkohen investime të mëdha. Koha nuk pret dhe sa më parë që FSK armatoset dhe bëhet e aftë për të mbrojtur Republikën, aq më shumë ruhet paqja në këtë pjesë të Evropës”, potencoi Kelmendi.

“Kosova t’i forcojë aftësitë mbrojtëse”

Ndërsa, analisti Adem Bytyçi, në një prononcim për “Bota sot”, ka deklaruar se kjo është dëshmi se Amerika nuk do të largohet asnjëherë nga Kosova, prandaj Serbia propagandon rrena, sepse nuk i konvenon kjo miqësi e Kosovës me Amerikën.

Ai shton se Serbia sheh ëndrra për të invaduar në Kosovë, andaj edhe duhet të forcohen aftësitë mbrojtëse në Kosovë.

“Furnizimi me armatim i Ushtrisë së Kosovës nga SHBA, është një dëshmi e fuqishme se Amerika asnjëherë nuk do të largohet nga Kosova. Kuptohet, Serbisë nuk i konvenon një politike kaq miqësore e Amerikës ndaj Kosovës, prandaj edhe ushtron propagandën e rrenave, siç e ka zakon tradicionalisht kinse Amerika do të largohet nga Kosova. Kosova duhet ta forcojë aftësinë e saj mbrojtëse, ndonëse Serbia edhe pse do ta ketë të pamundur, herët a vonë sheh ëndrra për të invaduar në Kosovë me forcat e saj ushtarake dhe policore kriminale dhe gjenocidale anti-shqiptare”, ka deklaruar Adem Bytyçi