Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg në një konferencë për media ka folur për takimin me Presidentin e Serbisë Aleksandër Vucic, derisa ka theksuar se temë e diskutimit ka qenë situata në veri të Kosovës.
Stoltenberg u shpreh se KFOR-i është i gatshëm të marrë çdo masë të nevojshme në mënyrë që të sigurojë paqen, sigurinë dhe lëvizjen e të gjithë qytetarëve në Kosovë.
“Përderisa situata në terren është përmirësuar, është përgjegjësi e të gjitha palëve, posaçërisht zyrtarëve nga Beogradi dhe Prishtina të parandalojnë përshkallëzimin e sërishëm. U bëj thirrje të gjitha palëve që të përmbahen dhe të shmangin dhunën. NATO vazhdon të mbikëqyrë nga afër situatën në terren. Misioni ynë paqeruajtës i KFOR-it mbetet i përqendruar në mandatin e dhënë nga Kombet e Bashkuara. Nëse qëndrueshmëria rrezikohet, KFOR-i është i gatshëm të ndërhyjë”, tha sekretari Stoltenberg. Ai tha se trupat e udhëhequra nga NATO-ja kanë shtuar praninë e tyre në veri.
Tutje Stoltenerg tha se dialogu konstruktiv është mënyra e vetme për të zgjidhur dallimet në rajon dhe bisedimet e ndërmjetësuara nga Bashkimi Evropian janë platforma për të gjetur një zgjidhje që respekton të drejtat e të gjitha komuniteteve.
“Mirëpres raundin e ri të bisedimeve që pritet të ndodhë nesër, inkurajoj të gjitha palët të angazhohen me mirëbesim, të tregohen fleksibël dhe konstruktiv”, tha ai pas takimit me presidentin serb, i cili i cilësoi si të vështira bisedimet e nesërme, meqë sic u shpreh “nuk pajtohemi pothuajse për asgjë”.
“I inkurajoj të gjitha palët që të angazhohen dhe të tregojnë fleksibilitet”.
Kujtojmë se në ora 17:00, Shefi i NATO-s është takuar edhe me Kryeministrin e Kosovës, Albin Kurtin.