Swiss
“Swiss duhet të ndalë zhvatjen që u bën shqiptarëve” , shkruan blick.ch duke cituar të riun shqiptar me prejardhje nga Kosova, i cili jeton në Winterthur të Kantonit të Cyrihut.
Luani, ashtu sikurse shumica e mërgimtarëve, i kalon pushimet në Kosovë, ku shkon për çdo vjet në fshatin e prindërve të tij. Për këtë, atij i duhet të paguajë shtrenjtë, nëse nuk dëshiron të shkojë me makinë dhe t`i kalojë rrugëve mbi 20 orë të pushimeve të tij, transmeton albinfo.ch.
Puna e çmimeve të larta të fluturimeve “është gjithmonë temë e madhe gjatë pushimeve verore. Ne, shqiptarët e Kosovës kemi përshtypjen se “Swiss” po e përdor pamëshirshëm kuazimonopolin që ka”, thotë Morina.
Ndërkaq, konstatimin se biletat për në Prishtinë nga metropoli zviceran janë më të shtrenjtat, e nxjerr edhe vetë portali. Gazetari e merr një mostër nga njoftimet zyrtare për fluturimet e 14 korrikut, ditës kur konsiderohet se fillojnë pushimet verore në Zvicër. Ata që duan t`i bëjnë pushimet në Kosovë duhet të paguajnë 711 franga për person, shkuarje-ardhje!
Për shqiptarët e Kosovës, një fluturim i tillë gjatë sezonit të pushimeve verore është thjesht i pamundur, kur ata janë me familje me mbi 2 fëmijë, thotë Morina, transmeton albinfo.ch. Ndërsa “alternativa”, udhëtimi me veturë për rreth 20 orë i një rruge të gjatë rreth 1800 kilometra, është e rëndë. Përveç vështirësive për ta përballuar fizikisht, ajo rrugë lidhet edhe me shumë maltretime të udhëtarëve kosovarë, në pothuajse të gjitha vendkalimet kufitare në Evropën Jugloindore (Ballkan), shkruan portali zviceran.