Drenicasit i bën nder Vetëvendosje, i treguan se është favorit në zgjedhjeAlbin Kurti mund të ketë fatin e Presidentit Rugova
Albin Kurti pas vizitës që bëri në Veri të Mitrovicës me Vjosa Osmanin, një ditë tjetër zgjodhi të bëj fushatë edhe në Skenderaj. Mirëpo në qytetin që njihet si bastion i PDK-së, Kurti nuk u pritë mirë nga disa qytetarë dhe simpatizantë të PDK-së dhe të Hashim Thaҫit. Madje ata e sulmuan me vezë dhe gurë, anëtarët e Vetëvendosjes që kishin shkuar për vizitë atje, duke brohoritur ‘PDK’, ‘Hashim Thaçi’.
Një s ulm i tillë ndaj Kurtit u kritikua shumë, madje disa anëtarë të kësaj partie krahasuan drenicasit me serbët e tërbuar në Veri të Mitrovicës.
Kështu, Egzon Azemi, asambelist i Vetëvendosjes në kryeqytet, ka thënë se “pas qetnikve në Mitrovicë edhe disa mercenar në Drenicë po brohorasin kundër Kryeministrit të ardhshëm”.
“Pas çetnikve në Mitrovicë edhe disa mercenar në Drenicë po brohorasin kundër Kryeministrit të ardhshëm. Të gjitha këta bashkë në Kosovë janë fare pak. Në Serbi sigurisht janë më shumë. Bizneset e lidhura me Serbinë po rrezikohen nga ndryshimet politike, prandaj agjenda e Beogradit po përputhet me atë të PDK-së. Por kot e keni, sepse KREJT kanë vendosur DREJT!”, ka shkruar ai në një status në profilin e tij zyrtar në rrjetin social Facebook.
Mirëpo, kryetari i kësaj komune, Bekim Jashari ka reaguar poashtu pas këtij sulmi. Sipas tij, çdokush është i mirëseardhur ta vizitojë komunën e tij.
“Secili nga Ne ka të drejtë të shprehë bindjet e tij politike e partiake, në mënyrë demokratike kudo në Kosovë. Shoqëria jonë, bazuar në sfidat e së kaluarës, më së miri i di dhe i vlerëson liritë dhe të drejtat e njeriut. Komuna që unë udhëheq, është e të gjithë shqiptarëve që ia duan të mirën vendit, andaj secili nga ta është i lirë dhe i mirëseardhur kurdo dhe pa asnjë brengë”, shkruan Jashari në Facebook.
Burjani: PDK po merret me Vetëvendosjen, LDK po sillet më së miri
Njohësi i çështjeve juridike, Blerim Burjani thotë se ky akt i ka bërë nder Lëvizjes , duke i treguar se është favorit i zgjedhjeve.
“Ҫdo akt i tillë e rrit VV në elektorat, pa marrë parasysh kush e ka bërë një akt të tillë i ka bërë nder VV për të treguar se ai është favorit kryesor i zgjedhjeve. PDK po merret shumë me VV dhe kjo është e keqe për PDK se e rrit VV-në, më së miri LDK po sillet në raport me VV, e matur dhe e painteresuar në parafushatë dhe fushatë merret me VV”, vlerëson Burjani.
Ai tutje thotë se në këtë mënyrë, Lëvizja Vetëvendosje po paraqet mllef dhe jo demokraci. Sipas tij, mllefi nuk është demokraci por revoltë.
“Kjo është e natyrshme se kjo nuk ndikon në mllef. VV paraqet mllefin dhe jo demokracinë, mllefi nuk është demokraci por është revoltë dhe kërkesë më ndryshe, apo më mirë më thanë më shumë mllef se realitet demokratik. Kuptohet duke njohur kapacitetet e VV-së që janë të mangëta për të kryer punë të mëdha shtetërore”, vlerëson Burjani për “Bota sot”.
“Kurti ua ka ‘zënë’ rrugën liderëve të tjerë politikë, pasi ai është më ndryshe nga ta, nuk ka miliona e jetë luksoze”
Poashtu profesori dhe publicisti, Binak Maxharraj thotë se Albin Kurti duhet të jetë i kujdesshëm pasi ndaj tij mund të ndodhin atentate, sikurse ndaj Presidentit Rugova. Sipas tij, Kurti ua ka ‘zënë’ rrugën liderëve të tjerë politikë, pasi ai është më ndryshe nga ta, nuk ka miliona e jetë luksoze.
“Albin Kurti është ferri dhe tmerri për kundërshtarët e tij. Ai duhet të jetë i kujdesshëm sepse mund të ndodhin atentate kundër tij siç i ndodhën presidentit të ndjerë Ibrahim Rugova. Në këto vitet e fundit nuk ka parti në Kosovë, nuk ka liderë partish shqiptare, serbe, etj., nuk mund ta gjejshë ndonjë pushtetarë që nga ish-presidenti Hashim Thaçi e teposhtë të cilët nuk merren me kritikat kundër liderit të LVV Albin Kurti. Albin Kurti të gjithë këtyre ua ka zënë rrugën sepse në krahasim me të gjithë këta Albini është një lider pa shibla, i pa korruptuar, një lider që nuk e vjedhë dhe plaçkitë popullin e vetë, është një lider fukara, s’ka miliona, s’ka shtëpi me pishina, jeton në një banesë një dhomëshe të marr me qira, s’ka vetura luksoze të blinduara sikur të gjithë këta liderët e klaneve të ndryshme mafioze që i kanë hyrë luftës speciale kundër Kurtit përmes të gjitha strukturave shtetërore deri te Gjykata Kushtetuese thjeshtë për ta penguar që të mos vijë në pushtet, sepse ata e dinë mirë se duhet me dhënë llogari para popullit për vjedhjet dhe hajnitë e tyre”, vlerëson ai.
Maxharraj thotë se lufta speciale kundër Albinit nuk ka të ndalur as tash kur jemi në prag të zgjedhjeve parlamentare të 14 shkurtit 2021.
“I gjithë arsenali politiko-mafioz i nëntokës së Kosovës është qu peshë përmes formave, luftës speciale dhe denigrimeve të ndryshme që ta pengojnë Albin Kurtin që t’i fitoj zgjedhjet, sepse edhe në këto zgjedhje ai është favoriti kryesor dhe se do t’i fitoj këto zgjedhje bindshëm. Dhe zgjedhjet, LVV me Albinin në krye do t’i fitoi bindshëm, këtë s’ka kush e ndalë sepse populli e ka shpresën te Albini për ndryshime rrënjësore në Kosovë pas 20 viteve keqqeverisje, vjedhje plaçkitjeve, korrupsionit, etj. Në këtë vazhdë vjen edhe vendim skandaloz i veçantë dhe i qëllimshëm i Gjykatës Kushtetuese të cilin me “dashuri”po e zbaton KQZ e që është i ndikuar nga nëntoka e mafisë politike që të mos kenë të drejtë të kandidojnë për deputet të gjitha ata që patën probleme me ligjin në tre vitet e fundit”, thekson ai.
Ai tutje thotë se edhe vendimi i fundit i KQZ-së është në shërbim të kësaj mafie e cila qëllimin e ka që të mbrojë kastën e korruptuar të cilën e ka kap tmerri dhe frika nga ardhja e Albinit në pushtet sepse ata e dinë se çka do t’i gjejë.
“Në fushatën zgjedhore Albinin nuk e ndalë asgjë sepse Albini është digë dhe ortekë i fortë për PDK-në, pronto mafinë dhe SHIK-un e cila qëndron prapa sulmeve dhe denigrimeve kundër Kurtit përmes militantëve të tyre të paguar me para. Por edhe shumë më i fortë për LDK-në e pa besë e cila të tradhton dhe të lënë në gjysmë të rrugës. Dhe vazhdon Albini të ecën nëpër fushatë gjithandej Kosovës. Gjithkah shkon e nderojnë i përkulën. Atë nuk mund ta ndalë as LDK-ja. LDK dhe Isa Mustafa tani nuk janë asgjë ndaj LVV-së dhe Albin Kurtit. Dhe Albini vazhdon fushatën. Albinin nuk mund ta ndalë më askush, bile as Cubat e Kosovës. As kupola e krimit të organizuar, që betohet se do ta mundë. Dhe do t’i mund të gjithë, sepse kjo është koha e Albin Kurtit e jo e cubave të Kosovës. Mirëpo cubat, horrat e Kosovës nuk ndalën, duan të ia prenë rrugën Albinit, ta lënë në gjysmë rruge, këta janë duke e përdorë krejt aparatin shtetëror me Kushtetutë, me gjykata me KQZ për ta penguar”, thotë ai.
Profesor Maxharraj thotë më tutje se partitë tjera, PDK, LDK e AAk duke e parë fitoren e Kurtit gjithnjë po bëhen më agresive. Në këtë rast përmend edhe sulmi në Veri kundër tij dhe Vjosa Osmanit.
“Ajo se çfarë është më e keqe dhe e rrezikshme për Albinin se PDK, SHIK, AAK dhe LDK duke e parë fitoren e sigurt në zgjedhje po bëhen gjithnjë e më agresive, nuk po mundën me e marrë me mend se do ta humbin pushtetin, e krahas kësaj edhe ardhmërinë e tyre kriminele. Kah do që shkon Albini përcillet, vrojtohet nga bandat dhe militantët e sidomos nga PDK dhe SHIK-ku. I tillë ishte rasti i vizitës së tij me u/d së presidentit Vjosa Osmani në token e ndaluar në Veri të Kosovës, që këto banda ishin të sinkronizuara edhe me ato serbe për të shkaktuar incident, sepse si kjo kupola e krimit të organizuar në Kosovë, poashtu edhe Vuçiq me bandat e tyre kriminele në veri e ka humbë durimin se mund të vjen deri te marrja e një cope të Kosovës të cilit i konvenojnë këto skandale”, vlerëson ai.
Sipas tij, ‘Albini po lëvizë në kohë fushate parazgjedhore, ai nuk ndalet dhe se nuk ka kush ta ndalë është si një meteor i rrufeshëm që godet kundërshtarin jo me forcë por me dije dhe dinjitet, me menҫuri dhe respektin që ia bën popullit të vetë por edhe populli atij’.
“Por mafitë politike të të gjitha ngjyrave në Kosovë, bile edhe të përziera etnie janë në lëvizje për ta ndalë Albin Kurtin dhe Vjosa Osmanin. Rasti me esklatant, rasti me i turpshëm u ndodhi bash aty ku nuk duhet të ndodhë, ne Drenicën e Shaban Polluzhës, në Drenicën e Adem Jasharit, kur ata ishin në fushatë parazgjedhore u fyen kur militantët e PDK, SHIK te Enver Hoxhajt iu vërsulën Albin Kurtit me vezë, fyerje nga i cili po frikësohen se do ta humbë bastionin e PDK në këtë trevë, sepse bastioni i PDK në Drenicë është i njohur me ndikimin e komandantëve të korruptuar, të cilët në emër të UÇK vodhën dhe plaçkitën çdo gjë në këto vitet e fundit”, thotë profesor Maxharraj për “Bota sot”.
Ai thekson se ‘Albini në Skënderaj ishte në fushatë parazgjedhore, ai nuk shkojë atje për të provokuar situatën siç tha qobani i dikurshëm i bullicave Ramiz Lladrovci, por shkoj dinjitetshëm për fushatë, për vota’.
“Në vend se këta të gjorë t’i dalin në ndihmë Albinit dhe Vjosës i akuzuan se gjoja paskan ardhë me e provoku situatën atje, sikur Skenderaj të ishte jashtë Kosovës. Kjo i bie se këta mjerana të korruptuar janë në të njëjtën vijë me Vuçiҫin, me të njëjtën gjuhë kur ai tha se Albini dhe Vjosa erdhën në Veri për t’i provokuar serbët atje, por ata shkuan në tokën e tyre e jo në atë të Vuçiҫit diku atje në Shumadi. Pra kjo është PDK dhe SHIK e cila për shkak të këtyre aferave dhe skandaleve vite më radhë i ka humbur autoriteti dhe ka rënë në fund të pusit. PDK duhet në radhë të parë të reformohet të Rimëkëmbjes nga ndërkëmbja që ia futën vetit e cila ka mbetë pa zot shtëpie e po i hipin hamshorë të ndryshëm të tipit Enver Hoxhaj i cili nga jermnia ndaj Albin Kurtit del edhe natën në pizhame për t’i kërkuar duel. Duhet ta dijë se PDK kurrë nuk mund të bëhet parti moderne pa u reformuar, pa u pastruar nga ata më të përfolurit në popull, pra nga komandantët e korruptuar dhe SHIK-u” vlerëson Maxharraj.
Ai madje ka një kërkesë për Kurtin, që të mos ketë luksin për të lëvizur lirshëm pa mbrojtje, pasi mmund ta gjej fati i Presidentit Rugova.
“Por, megjithatë Albin Kurti duhet me pas kujdes, nuk duhet të ketë luksin që të lëvizë lirshëm, apo nëpër fushata parazgjedhore pa mbrojtje sepse mund ta gjejë fati i Presidentit Ibrahim Rugova në të cilin patën tenduar të bëjnë antentate disa here. Nuk thotë kot populli, armikut kurrë besë mos i zënë se të lënë pabesë”, thotë Maxharraj.