Valdete Daka tash e disa vite është kryetare e Komisionit Qendror Zgjedhor. Pasi kohët e fundit vendi ka shkuar shpeshë në zgjedhje të reja, Daka ka pasur një rol kyҫ në këtë process.
Duke mbajtur këtë pozitë, Daka është e obliguar të deklaroj pasurinë e saj në Agjencinë Kundër Korrupsionit.
Kështu tek pasuria e paluajtshme, Daka ka deklaruar vlerën 412 mijë euro, duke përfshirë dy shtëpi pushimi, dy banesa dhe tokë. Për shtëpitë e pushimit në Brezovicë, Daka ka dhënë edhe një sqarim në fund të raportit.
“Shtëpia në Brezovicë është blerë nga Ema Bytyqi, me 28.01.2019 sipas parakontratës dhe është paguar 60000.00 euro, ndërsa pjesa prej 16000.00 euro do të paguhet pas transferit në katastër. Toka në Brezovicë i është shitur Maliq Dakës, në vlerë prej 42000.00.
Transferi në katastër ende nuk ka përfunduar dhe toka figuron në emër të bashkëshortit. Banesa në Prishtinë 172m2 është paguar nga paratë e tokës në Brezovicë, vetëm kësti i parë 40000.00euro”, sqarohet ajo.
Daka ka deklaruar se posedon para të kursyera mbi 13 mijë euro, derisa borxhet e saj kapin vlerën mbi 65 mijë euro.
Të hyrat vjetore të saj janë në vlerën mbi 40 mijë euro, duke përfshirë pagën dhe mëditjet, ndërsa ato të bashkëshortit mbi 5 mijë euro.