VIDEO/ Vuçici për ti fituar zgjedhjet si president i Serbisë po hyn edhe në frigorifer

Kandidati presidencial Aleksandar Vuçiq ka hyrë në studio nga frigoriferi në paraqitjen e fundit televizive para zgjedhjeve të 3 prillit në Serbi.

Duke “rikrijuar” një spot shumë humoristik që e pati gjatë fushatës së tij parazgjedhore, Vuçiq është “futur nga frigoriferi” në studion e televizionit të afërt me të “Pink TV”.

Vuçiq e ka konsideruar këtë si gjetje të tij gjatë fushatës. Në spotet e tij ai “hynte” në shtëpitë e njerëzve të thjeshtë nga frigoriferi për t’u treguar planprogramin e tij.

“U jam bërë bajat të gjithëve, sa që njerëzit po mendojnë se po dal nga frigoriferi”, tha Vuçiq.

Ai i dhuroi nikoqirit një kavanoz me kastraveca dhe ky mini-show u shoqërua me një ‘cover’ të një kënge fansash të klubit të Yllit të Kuq të Beogradit.

Vuçiq thotë se ka dëgjuar nga disa kryeministra se ata gjithmonë kanë pasur efekte më të mëdha nga puna e tyre në mandatin e dytë.