Vjosa “sulmon” sërish Thaçin në fjalimin vjetor në Kuvend: Koha e tregtarëve të kufijve ka perënduar

Presidentja e vendit, Vjosa Osmani në adresimin e saj vjetor në Kuvend ka thënë se Kosova asnjëherë nuk ka pasur politikë të jashtme më të përgatitur e më aktive.

Osmani i ka quajtur sfida të mëdha ato me të cilat po përballet politika e jashtme tani, për shkak se siç ka thënë në të kaluarën gabimet kanë qenë të “përmasave të mëdha”, shkruan Reporteri.net.

Ndër të tjera Osmani ka thënë se falë politikës së jashtme aktuale të Kosovës, nuk ka më tregtarë kufijsh.

“Përfundimisht Republika e Kosovës asnjëherë nuk ka pasur politikë të jashtme më aktive, kuptimplote, më të përgatitur e më të koordinuar e më aktive.

Natyrisht që kjo politikë e jashtme, e fokusuar në interesin e Kosovës dhe vetëm të Kosovës e jo të interesave të ngushta individuale e shpeshherë të paligjshme po u pengon disave, jo vetëm në Serbi por shpeshherë edhe jashtë saj. Kosova nuk ka politikë të jashtme po thonë ca zëra. Natyrisht se Kosova ka politikë të jashtme. Në fakt, më në fund Kosova ka politikë të jashtme

Por po ju tregoj se nuk çka nuk ka Kosova tani. Kosova nuk ka lobim për ndryshim kufijsh, pagesa lobistësh për të shtyrë përpara agjenda puro individuale, nuk ka intervista të paguara për të promovuar liderë të caktuar, nuk ka filtrime me Serbinë e Rusinë. Nuk ka liderë të caktuar që Kosovën e krahasojnë me Nagorno Kharabah e me Krime. Koha e tregtarëve të kufijve ka perënduar njëherë e përgjithmonë. Sfidat e politikës së jashtme natyrisht që janë të mëdha, sepse gabimet kanë qenë të përmasave të mëdha”, tha Osmani.

Fjalimin e saj e bojkotuan nga PDK dhe AAK, por në sallë qëndruan deputetët e LDK-së. /Reporteri.net