Von Cramon thumbon Vuçiçin thotë se pa Kosovën do ta keni të vështirë të hyni në BE

Eurodeputetja Viola von Cramon pas bisedës me presidentin serb Aleksandër Vuçiç tha se i kërkoi atij që të vendosë se në anën e kujt është dhe se nuk është mirë të jesh në anën e Putinit, pra në anën e gabuar të historisë.

Von Cramon gjithashtu foli dhe për dialogun Kosovë-Serbi ku theksoi se nuk është në interesin e askujt që Serbia të lobojë kundër Pavarësisë së Kosovës dhe shpresoi që Kosova të jetë një nivel me Serbinë.

“Duhet të sigurojmë që Kosova të marrë vendin e saj. Nuk është në interesin tonë që Serbia të lobojë kundër pavarësisë së Kosovës. Do të doja që Kosova të ishte në të njëjtin nivel me Serbinë brenda BE-së. Në fund të fundit, mendoj se është në interes të popullit serb, sepse pa zgjidhjen e kësaj çështjeje, do të jetë e vështirë të futet Serbia në BE”- thotë Von Cramon.

Von Cramon ka biseduar sot me Vuçiç dhe sipas saj, biseda ka qenë “miqësore dhe e sinqertë”, ku ndër të tjera kanë folur dhe për sanksionet ndaj Rusisë dhe varësinë nga energjia ruse.

“Kemi diskutuar për disa tema, duke filluar nga çështja e sanksioneve energjetike, varësia energjetike nga Rusia, alternativat e ndryshme për Serbinë, duke përfshirë burimet e ripërtëritshme të energjisë, efiçiencën e energjisë”–tha ajo.

Von Cramon u shpreh se ajo u pajtua se do të ishte mirë që Serbia të zvogëlojë varësinë e saj nga gazi dhe nafta ruse duke bërë të mundur afrimin e saj me BE-në.

“Mendoj se BE-ja është shumë e interesuar që ta afrojë Serbinë me Bashkimin, sigurisht që i takon Serbisë të vendosë diçka të tillë. Ne e bëjmë të qartë se partnerët tanë evropianë janë në përputhje me masat tona evropiane, që do të thotë se përfshin sanksione dhe ne folëm për këtë”, thotë ajo.

Ajo shtoi se i takon presidentit dhe qeverisë së re të vendosin se si ta trajtojnë atë dhe se në anën e kujt do jetë.

“Presioni për këtë çështje do të rritet. Nuk është në dorën e BE-së, është një vendim që duhet ta merrni, në anën e kujt jeni, a e sheh dikush vendin e tij në BE, në familjen evropiane, Serbia është padyshim një vend evropian, është në interesin tonë për Serbinë të harmonizohet me politikën e BE-së” – thotë ajo.