Xhelal Sveçla krenohet se një lokal në Prishtinë u dërgoi policëve pica, speca turshi e ajran

Ministri i Brendshëm Xhelal Sveçla ka publikuar fotografi, teksa zyrtarët policorë po çlodheshin, duke ngrënë pica, speca turshi e ajran.

Sveçla i falënderoi bizneset e familjet bujare, që kanë përgatitur ushqim për zyrtarët policor.

Tutje Sveçla ka thënë se veriu duhet t’i kthehet normalitetit.

Statusi i plotë:

Një nga lokalet e Prishtinës, si shumë biznese e familje bujare, dje ka përgatitur ushqim për zyrtarët tanë policor që po angazhohen në veri, në mbrojtje të vendit tonë.

Darkën e kaluam së bashku me zyrtarët policor në Bërnjak të cilët, si gjithë të tjerët, me moral të lartë e me përkushtim po punojnë sipas misionit të tyre në ofrimin e sigurisë e në mbrojtjen e sovranitetit e integritetit territorial të vendit tonë.

Ndërsa, nga qytetarët e kësaj zone që janë bllokuar nga barrikadat tash e një javë po kërkohet me ngulm heqja e barrikadave dhe vazhdimi i jetesës dhe zhvillimit pa pengesa.

Çdo çast i kaluar nën bllokim të barrikadave të ngritura nga grupe të armatosura e kriminale është i tepërt. Institucionet e Republikës së Kosovës i kanë të gjitha kapacitetet për ti larguar barrikadat dhe në koordinim me partnerët tanë ndërkombëtar janë duke vlerësuar situatën për reagim adekuat.

Veriu i vendit tonë, si çdo cep i Republikës sonë duhet të kthehet sa më shpejtë në normalitet.